Pensionet e huaja të përfituara nga shtetasit italianë rezidentë tatimorë në Shqipëri — a janë të tatueshme në Shqipëri?

  • Home
  • Business & Strategy
  • Pensionet e huaja të përfituara nga shtetasit italianë rezidentë tatimorë në Shqipëri — a janë të tatueshme në Shqipëri?

Pensionet e huaja të përfituara nga shtetasit italianë rezidentë tatimorë në Shqipëri — a janë të tatueshme në Shqipëri?

Le të ndjekim Legjislacionin Tatimor Shqiptar sipas Hierarkisë.

Ligjin Nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, Neni 3 përcakton se legjislacioni tatimor përbëhet nga:

  1. a) Marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Kuvendi;
  2. b) Ligjet tatimore;
  3. c) Aktet nënligjore, të miratuara në mbështetje të ligjeve tatimore.

Hapi i Parë — Trajtimi sipas Marrëveshjeve Ndërkombëtare

Më 12.12.1994, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Italisë nënshkruan një marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë. Neni 18 i kësaj marrëveshjeje përcakton se pensionet e përfituara nga punësimi në të kaluarën do të tatohen në shtetin e rezidencës (Shqipëri).

Hapi i Dytë — Trajtimi sipas Ligjit Tatimor

Ligji Nr. 8438 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, Neni 8/2, Pika 6:
Janë të ardhura të përjashtuara ato që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga RSH. Në rastin e marrëveshjes me Italinë, të ardhurat nga pensionet nuk janë përcaktuar shprehimisht si të përjashtuara.

Ligji Nr. 8438, Neni 8/1, Pika 1 — Të ardhura të përjashtuara:
“Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës në fuqi.” — Kjo pikë përfshin pensionistët që trajtohen sipas ligjit shqiptar të sigurimeve shoqërore.

Ligji Nr. 8438, Neni 8/1, Pika 1/1 — Të ardhura të përjashtuara (Shtuar me Akt Normativ Nr. 10, datë 18.12.2019):
“Të ardhurat nga pensionet dhe shpërblimet e tjera të ngjashme të shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, ose të atyre nga vendet e Bashkimit Evropian, me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, si dhe të shtetasve të huaj që kanë marrë shtetësinë shqiptare dhe janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët i përfitojnë këto të ardhura sipas legjislacionit të vendit ku përfitojnë pensionin apo shpërblimet e tjera të ngjashme.”

 

Ligji Nr. 8438, Neni 8/2, Pika 1 — Kushtet për përjashtim nga tatimi:
Personat që përfitojnë nga pika 1/1 e Nenit 8/1 duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  1. a) Të jenë përfitues të pensionit sipas legjislacionit në fuqi të vendit ku e kanë përfituar atë;
  2. b) Të jenë pajisur me leje qëndrimi në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  3. c) Të mos kenë qenë ndonjëherë të dënuar në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet tjetër për vepra penale për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie;

ç)  Të kenë marrë përgjigje pozitive nga struktura përgjegjëse administrative për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale. Kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentet provuese për pikat “a”, “b” dhe “c”, si dhe një kopje të pasaportës së lëshuar nga shteti ku kanë vendbanimin e përhershëm.

Sipas Pikës 3 të Nenit 8/2, pensionistët humbasin të drejtën e përjashtimit nëse nuk kanë marrë përgjigje pozitive për përjashtimin e të ardhurave të pensionit.

Përfundim

Bazuar në sa më sipër, nga data 18.12.2019 deri më 31.12.2023, çdo përfitues i pensionit të huaj i cili nuk kishte marrë përgjigje pozitive nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kishte detyrimin të deklaronte këto të ardhura në Deklaratën Individuale të të Ardhurave (Formulari 1800) dhe të paguante tatimin prej 15% mbi to.

 

Ligji i Ri Nr. 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, Neni 11 — Të ardhura që nuk janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale:

  1. a) “Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.” (Ky paragraf është përcjellë njësoj nga ligji paraardhës Nr. 8438, Neni 8/1, Pika 1 — përfshin pensionistët që trajtohen me legjislacionin shqiptar.)

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me datë 12.05.2025, në përgjigje të kërkesës për interpretim ligjor nëse Ligji Nr. 29/2023, Neni 11, Pika a, përfshin pensionet e përfituara nga puna në Itali nga rezidentët tatimorë në Shqipëri, ka dhënë qëndrimin si vijon:

 

“Nuk përfshihet në të ardhurat e përjashtuara të ardhurat nga pensionet, pagesat për të cilat nuk bëhen nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore të RSH. Për rrjedhojë, edhe të ardhurat e përfituara për të cilat kontributi nuk është paguar në Shqipëri janë të tatueshme. Individi rezident në Republikën e Shqipërisë, përfitues i këtyre të ardhurave, duhet t’i deklarojë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale, në rubrikën “Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, dhe të tatojë ose kreditojë tatimin e huaj (tatimin e paguar në vendin e burimit) deri në shumën e tatimit të përcaktuar nga dispozitat e legjislacionit tatimor shqiptar.”

Ky qëndrim e bën të detyrueshme deklarimin e të ardhurave të pensionit për vitet 2024 e në vazhdim.

Neni 11, germa c) i Ligjit Nr. 29/2023 parashikon se nuk janë subjekt tatimi “të ardhurat e përjashtuara në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”. Megjithatë, në rastin e marrëveshjes me Italinë, pensionet nuk janë përcaktuar shprehimisht si të ardhura të përjashtuara.

Efektet Fiskale për Mosdeklarimin dhe Mospagimin ose Deklarimin e Rremë

Kur Drejtoritë Rajonale evidentojnë individë rezidentë tatimorë në Shqipëri me të ardhura nga pensione të huaja të padeklaruara brenda afateve, bazuar në Nenin 39 të Ligjit Nr. 9920, Pika 4, u dërgojnë njoftim për vetëpërmbushje të deklaratës tatimore. Në rast të mospërmbushjes, sipas Pikës 5 të po atij neni, administrata tatimore ka të drejtën të kryejë vlerësim tatimor për të ardhurat e padeklaruara.

 

Mosdeklarimi dhe mospagimi i tatimit dënohet sipas Ligjit Nr. 9920, Neni 117, germa c, me 100% të shumës së tatimit, përveç gjobave për pagesë të vonuar dhe kamatevonesave.

Veprat Penale — Ligji Nr. 7895, Neni 180

 

Fshehja ose shmangia nga pagimi i detyrimeve tatimore dënohet me burgim deri në 3 vite.

Kur shuma e fshehur ose e shmangur është mbi 5 milion lekë — dënohet nga 2 deri në 5 vite burg.

Kur shuma e fshehur ose e shmangur është mbi 8 milion lekë — dënohet nga 4 deri në 8 vite burg.

 

 

Leave A Comment

At vero eos et accusamus et iusto odio digni goikussimos ducimus qui to bonfo blanditiis praese. Ntium voluum deleniti atque.

Shopping Cart (0 items)